Fondacioni Arsimor “Hafiz Ali Korça”, fondacion ky i themeluar nga Komunitei Mysliman i Shqipërisë zhvilloi sot ceremoninë e lancimit të projektit të 100 bursave sociale të studimit, i cili u mundëson dhjetëra maturantëve të këtij viti akademik të studiojnë me bursë deri në 100% të tarifës vjetore të studimit në një nga degët që ofron Kolegji Universitar Bedër.
Në këtë ceremoni, të zhvilluar në ambientet e “Tirana International Hotel”, ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm personalitetesh nga bota akademike, ajo e kulturës, artit, medias, biznesit, arsimit dhe e sportit. Përmendim këtu: Znj. Myfarete Laze, Z. Dritan Boriçi, Znj. Sabahete Vishnja, Znj. Briseida Mema, Z. Agron Tufa, Mishela Rapo etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli falenderoi drejtuesit e fondacionit “H. Ali Korça”, drejtuesit e Kolegjit Universitar Bedër si dhe vlerësoi praninë e miqve nga fusha e aartit, kulturës dhe biznesit.
“Arsimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet i KMSH-së. Dëshmi e kësaj janë medresetë me një traditë të shkëlqyer dhe Universiteti Bedër, institucione të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e arsimit”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së.
Drejtori i Fondacionit arsimor “Hafiz Ali Korça”, Z. Dritan Laçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se i gjithë qëllimi i këtij projekti është mbështetja e të gjithë atyre maturantëve të cilët për shkak të kushteve ekonomike, nuk kanë mundësi të vazhdojnë studimet universitare.
“Ne nuk mund të pretendojmë një të ardhme të ndritur, nëse nuk u japim mundësi studentëve që të vazhdojnë universitetin”, tha ai gjatë fjalës së tij.
Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, preku problematika të ndryshme të arsimimit të brezave të rinj në vendin tonë.
Ndër të tjera ai u shpreh se: “Dikush lind i pasur, dikush lind i varfër, dikush në fshat dhe dikush në qytet. Askush nuk e ka në dorë diçka të tillë. Gjithkush i dorëzohet apo i përshtatet kësaj situate. Ne kemi një mundësi të mendojmë për të gjithë, me aq kapacitete sa kemi”.
Projektin e 100 bursave sociale të studimit e përshëndetën edhe këngëtarët me famë të njohur në vendin tonë si Znj. Myfarete Laze, Mishela Rapo, Noizy si dhe biznesmeni i njohur Z. Said Fishta, të cilët ndanë me të pranishmit mbështetjen dhe vlerësimin e tyre ndaj kësaj nisme të fondacionit dhe universitetit.
Kolegji Universitar Berdër fton të gjithë maturantët e interesuar të bëhen pjesë e këtyre bursave duke aplikuar fillimisht në portalin e maturës shtetërore për një nga programet e studimit që ne ofrojmë.