Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dekoron me titullin “Hafiz Ali Korça”, Prof. Dr. Ferdinand Gjanën, Rektor i Kolegjit Universitar “Bedër”.

Me rastin e përfundimit të mandatit të Prof. Gjanës si rektor i këtij institucioni që nga themelimi në prill të vitit 2011, ditën e djeshme u zhvillua edhe ceremonia e lamtumirës së tij, ceremoni në të cilën ishte vetë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili i dorëzoi z. Gjana, titullin “Hafiz Ali Korça”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në fushën e arsimit, veçanërisht në hedhjen e themeleve dhe ngritjes së Kolegjit Universitar Bedër.”

Ceremonia filloi me fjalën përshëndetëse të Dr. Erlis Celës, Shef i Departamentit të Shkencave të Komunikimit pranë këtij institucioni, i cili vlerësoi figurën e Prof. Gjanës dhe kontributin e tij ndër vite në ecurinë e institucionit.

Për të vijuar më tej me një rezyme të këtyre 11 viteve të Prof. Gjanës si rektor i KU Bedër, rezyme e cila u soll për të pranishmit nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi.

Ndërsa ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, tashmë President i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “Bedër”, z. Skender Bruçaj, vlerësoi Prof. Gjanën si akademik, intelektual dhe mik me të cilin kanë bashkëudhëtuar për një kohë të gjatë në edukimin e brezave të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Në fund, ishte kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ai i cili ndau me të pranishmit përshëndetjen e tij të rastit.

“Është kënaqësi e veçantë për mua t’i akordoj, sot, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Profesor Gjanës, titullin “Hafiz Ali Korça, për kontributin e çmuar në fushën e arsimit dhe veçanërisht në ecurinë e këtij institucioni. Falë ndihmës së Zotit, përkushtimit të secilit që ka punuar e punon në këtë universitet, dhe falë lidershipit të treguar nga rektori Gjana, Bedër sot është rritur shumë, konsoliduar mjaftueshmërisht, dhe gjithashtu radhitet ndër universitetet më të mira të vendit tonë.” – u shpreh kryetari Spahiu në fjalën e tij.

Më tej, ai i dorëzoi Prof. Gjanës titullin e nderit në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.