Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të Filozofisë dhe Teologjisë në Seminarin Ndërdioqezian, organizuan Simpoziumin e XI Ndërfetar: “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”.

Në takimin e moderuar nga z. Hysni Skura, lektor në Departamentin e Shkencave Islame Bedër, përshëndetën Dr. Skender Bruçaj, kryetar i Bordit të Administrimit të KU Bedër dhe Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, KU Bedër.

Simpoziumi  mblodhi së bashku pedagogë dhe studentë nga tre departamente dhe institute të teologjive islame dhe të krishtera, të cilët diskutuan mbi konceptin e paqes sipas këndvështrimit teologjik. Panelistët e këtij simpoziumi ishin lektorë, përfaqësues të departamenteve të teologjisë islame, ortodokse dhe katolike, respektivisht, z. Ali Zaimi, kektor në Departamentin e Shkencave Islame, KU Bedër, Dr. Thoma Shkira, lektor në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, KU Logos dhe Don Simo Ljuljić, Drejtor i Institutit Katolik të Filozofisë dhe Teologjisë në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër.

Ky aktivitet vjen në një periudhë kohore tepër të rëndësishme, në një kohë kur lufta është rikthyer të jetë në qendër të vëmendjes, duke shkaktuar edhe kriza ekonomike, sociale dhe humanitare, të cilat kanë prekur mbarë rruzullin. Për këtë arsye është momenti i duhur, që ne, një komb i cili është shembull për mbarë rajonin dhe Evropën, për paqen dhe bashkëjetesën ndërmjet besimeve, të japim të gjithë njëzëri mesazhin e paqes dhe dashurisë, i cili buron natyrshëm nga feja.

Rrugëtimi i këtij simpoziumi daton disa vite më parë, kur teologë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë ftoheshin nga Akademitë, Institutet dhe Departamentet Teologjike të ndërsjella në Shqipëri, si lektorë të ftuar në lëndën e “Historisë së Religjioneve”, ku teologu dhe pedagogu i secilit besim fetar shpjegonte besimin e tij në aspektin akademik dhe teologjik. Pas kësaj përvoje disa vjeçare, me rastin e 25 vjetorit të lirisë së besimit, në dhjetor 2015 u organizua simpoziumi i parë i përbashkët “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”, zhvilluar në Universitetin Bedër dhe realizuar nga Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me Akademinë Teologjike Ortodokse “Shën Vlash”, Durrës (sot Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës, pranë KU Logos) dhe Institutit Katolik i Filozofisë dhe Teologjisë në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër. Prej asaj date, tre shkollat e larta teologjike vendosën së bashku, që të mblidhen në një simpozium të përbashkët çdo 6 muaj, apo 2 herë në vit me rotacion te njëri-tjetri, duke zgjedhur tema të përbashkëta, si:

“Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”, “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”, “Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam”, “Gruaja në komunitetet fetare dhe në shoqërinë shqiptare sot”, “Dashuria Hyjnore”, “Lutja”, “Maria/Merjemi, si simbol i virtytit dhe i devotshmërisë”, “Sfidat e religjionit në globalizëm”, “Besimet Fetare dhe Vëllazëria Njerëzore”, “Besimet fetare dhe sfidat e Covid19”.

Pjesëmarrës në këtë simpozium ishin dhjetëra studentë, pedagogë dhe studiues, ku disa prej tyre i drejtuan dhe pyetje panelistëve.